Kurti për ‘Blick’: Kosova e gatshme për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davios të Zvicrës, ka dhënë një intervistë për gazetën zvicerane ‘Blick’. Ndër të tjera ai ka folur për gatishmërinë e Kosovës që të ofrojë kushte të mira për investitorë të ndryshëm, por edhe ka bërë thirrje që Zvicra t’ia zgjasë mandatin e qëndrimit të ushtarëve të saj në kuadër të KFOR-it.
Kurti në këtë intervistë flet edhe për rrezikun nga Serbia e cila ka mbetur e lidhur në të kaluarën e Millosheviqit e njëkohësisht mbetet një nga shtetet pro ruse e pro Putin në rajon, duke rerzikuar në këtë mënyrë paqen dhe sigurinë.
Ai flet edhe për futbollistët e Zvicrës me prejardhje shqiptare dhe bashkëpunimin që Vetëvendosje do të ketë me SP-në.
Më poshtë, RTKlive sjell të plotë intervistën e kryeministrit Kurti për ‘Blick’.
Titulli në origjinal: Kryeministri i Kosovës dëshiron të bëjë fushatë për SP-në
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dëshiron të ftojë investitorë të rinj, gjatë qëndrimit Forumin Ekonomik Botëror në Davos, përfshirë edhe nga Zvicra. Në një intervistë për ‘Blick’, ai ka paralajmëruar edhe një bashkëpunim me SP-në.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti (47) është si shumica e pjesëmarrësve të rangut të lartë të Formunin Ekonomik Botëror, agjenda e tij është e mbushur.
Përpara se të nxitojë në një takim me kryeministren finlandeze Sanna Marin (37) të martën pasdite, Blick e takon atë për një intervistë.
Para intervistës, zëdhënësi i tij e bëri të qartë kushtin: Ju lutem, vetëm një pyetje për Serbinë.
Kryeministri më me dëshirë do të fliste për marrëdhëniet e Kosovës me Zvicrën. Në fund u arrit marrëveshja për pyetje për disa çështje në lidhje me Serbinë – sepse sigurisht se kjo është ajo që është me interes, duke parë zhvillimet e fundit në Kosovë.
Blick: Z.Kurti, a është shmangur rreziku i një përshkallëzimi në veri të Kosovës?
Albin Kurti: Situata është e qetë për momentin, kurse policia jonë është prezente. Së fundi kam bërë një thirrje publike për të gjithë serbët në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimin publik, për shembull në polici. Kjo vjen pasi mes tensioneve në veri të Kosovës, zyrtarët serbë dhanë dorëheqje. Nuk është qëllimi im të zëvendësoj serbët me shqiptarë! Dua serbët të jenë në këto pozita.
Blick: Tensionet e fundit u shkaktuan nga një mosmarrëveshje mbi targat serbe të makinave. Duke parë prapa, a ishte gabim veprimi juaj?
Albin Kurti: Jo, mendoj se kemi bërë gjithçka siç duhet. Këto targa të vjetra serbe janë një trashëgimi e regjimit të Millosheviqit, i cili ushtroi dhunë ekstreme ndaj nesh shqiptarëve. Mosmarrëveshja për njohjen reciproke të targave, është vetëm një simptomë e problemit thelbësor, që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Ne duhet të arrijmë normalizim të marrëdhënieve. Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti- me mbështetjen e perëndimit, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjate, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën.
Blick: Çfarë mund të kontribuojë Zvicra për një marrëveshje?
Albin Kurti: Zvicra paqedashëse na kupton shumë mirë – qoftë edhe sepse shumë nga qytetarët tanë jetojnë këtu. Zvicra luan një rol të rëndësishëm: qoftë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë apo edhe në lidhje me një marrëveshje paqeje.
Blick: Të mërkurën do të takoheni me këshilltarët federalë, Viola Amherd dhe Guy Parmelin. Çfarë do të propozoni konkretisht?
Albin Kurti: Kush e di, ndoshta së bashku mund të gjejmë një mënyrë që Zvicra të përfshihet edhe më shumë. Nuk mund të them më shumë për këtë ende asgjë.
RTKlive