Rritet dinamika e politikës botërore për dialogun Kosovë-Serbi
Për intensifikim të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një delegacion prej pesë zyrtarësh të lartë ndërkombëtarë do të qëndrojë sot në Kosovë. Delegacioni i udhëhequr nga emisarët, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, do ta vizitojnë edhe Serbinë. Dinamika e shtuar e vizitave të politikës botërore, ka për synim që të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje ndërmjet të dyja shteteve.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, këshilltari për politikë të Jashtme dhe Siguri të Gjermanisë, Jens Plettner, dhe ai i Francës, Emmanuel Bonne, do të qëndrojnë sot në Kosovë. Tema e vetme është dialogu Kosovë-Serbi dhe mundësia që të ketë një marrëveshje të shpejtë për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Vizitën e delegacionit të përmasave të tilla e ka konfirmuar ditë më parë edhe zëdhënësi i BE-së për politikë të Jashtme, Peter Stano. “Lajçak do të vizitojë Kosovën e Serbinë. Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë”, ka bërë të ditur Stano. Ai ka theksuar se në këtë vizitë, Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të Jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zëvendës-sekretari amerikan, Gabriel Escobar.
Ndërkohë, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, që u organizua në Davos të Zvicrës, Lajçak pati takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me emisarin Lajçak, kanë diskutuar për nevojën e dinamizimit të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, me njohje reciproke në qendër.
Por, zëdhënësi Stano në një përgjigje për Radio Kosovën, nuk ka dhënë detaje se kur mund të ketë një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq. “Ne do t’ju njoftojmë për çdo takim të nivelit të lartë të dialogut, kurdo që është e nevojshme”, ka thënë Peter Stano.
Ndërkohë, Serbia, po e kushtëzon normalizimin e mëtejshëm të raporteve me Kosovën me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Por, kryeministri Kurti, së fundmi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve, por përjashton mundësinë që Asociacioni të jetë një-etnik.
Javët e fundit është shtuar dinamika e politikës botërore për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa në vjeshtë të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë pranuar një propozim nga zyrtarët evropianë, përmes të cilit synohet që të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Radio Kosova