Berisha: Të largojmë Ramën me të gjitha mjetet, përfshirë mosbindjen civile
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i139044-berisha_të_largojmë_ramën_me_të_gjitha_mjetet_përfshirë_mosbindjen_civile
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përsëritur thirrjen e tij për largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama me të gjitha mjetet, përfshirë edhe mosbindjen civile.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 02, 2023 03:32 Europe/Tirane
  • Berisha: Të largojmë Ramën me të gjitha mjetet, përfshirë mosbindjen civile

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përsëritur thirrjen e tij për largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama me të gjitha mjetet, përfshirë edhe mosbindjen civile.

Në një deklaratë për mediat në selinë blu, pas mbledhjes me drejtuesit politikë dhe drejtuesit e qarqeve, Berisha u shpreh se Rama duhet larguar sa më parë dhe shtoi se ai e ka poshtëruar vendin, duke iu referuar skandalit me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal. “Të largojmë me çdo kusht nga pushteti, këtë demon të pushtetit i cili për të shkatërruar pluralizmin dhe konsoliduar karrigen e tij nuk ndalet para asnjë akti. Nuk njeh asnjë kufi, nuk njeh asnjë normë morale, asnjë standard, ligj, kombëtar apo ndërkombëtar. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do ta hedhin në Lanë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do të rivendosin reputacionin, dinjitetin, moralin e tyre. Kurrë ndonjëherë që nga koha e Enver Hoxhës, dinjiteti i këtij kombi, këtij vendi nuk është poshtëruar në këtë mënyrë. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është se ky akt korruptiv u ndërmorr me qëllimin e vetëm për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Demokraci pa pluralizëm nuk ka, pa opozitë nuk ka, dhe faktikisht me para droge dhe para të tjera, ky përpiqet në të gjitha mënyrat për të konsoliduar monizmin e tij. Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë mosbindjen civile është sot misioni i të gjitha misioneve të qytetarëve shqiptarë, të popullit opozitar”, theksoi kryedemokrati.