Qeveria miraton tri marrëveshje të Procesit të Berlinit
Qeveria e Kosovës mbledhjen e sotme e ka filluar me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri. Kryeministri Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim sa më të shpejtë.
Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, specialistët tanë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjent dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti, në ndihmë të institucioneve të Turqisë dhe popullit turk, u shpreh ai.
Shefi iekzekutivit ka folur për marrëveshje që janë nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit, raporton RTKlive.
Kryeministri Kurti tha se pas miratimit në Qeveri, këto tri marrëveshje do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim.
“Vitin e kaluar pas gati tri vitesh negociatash në Berlin nënshkruam tri marrëveshje të mobilitetit mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot pas përfundimit të procedurave të brendshme nga institucionet tona i kemi sjellë për aprovim në Qeveri dhe pastaj do t’i çojmë në Kuvend”, tha Kurti. Sipas tij procesi i shpejt i këtyre marrëveshjeve është më rendësi për integrim.
Ndryshe Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.
Ndryshe Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të 127-të në të cilën ka miratuar: Kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023. Vendimi siguron pagesën e 580 specializantëve në programin e Aftësimit Specialistik dhe EVM në vlerë 4 milionë e 129 mijë eurove prej datës 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2023 nga kategoria ekonomike e subvencioneve, kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim nga Republika e Shqipërisë, Malit të zi dhe Maqedonia e Veriut. Me këtë vendim përfitojnë dhjetë specializantë në vlerë prej 71 mijë euro e njëqind e nëntëdhjetë eurove prej datës 01 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2023.
Po ashtu ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Transferim të Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë. Me këtë marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kroacisë bien dakord që të thellojnë aspiratat e tyre të bashkëpunimit juridik në çështjet civile me qëllim të sigurimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe interesave të të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre duke synuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjes së bashkëpunimit të tyre të përgjithshëm, projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, plotësim ndryshimin e Vendimit Nr.05/56 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i datës 26.01.2022, kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë për mbulimin e vlerës së subvencionimit të tarifave të energjisë elektrike për muajin janar 2023 dhe kërkesën e Doganave të Kosovës për përditësimin e listës së tarifave të transportit të mallrave që importohen në vend.
RTKlive