Kurti fton opozitën t’i thotë ‘Jo’ Escobarit ashtu siç i thonë atij
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i139470-kurti_fton_opozitën_t’i_thotë_jo’_escobarit_ashtu_siç_i_thonë_atij
Kuvendi i Kosovës po mban seancën plenare.Debati në Kuvendin e Kosovës, vazhdon të zhvillohet me tone të forta mes pozitës e opozitës. Shkas është marrveshja e mundshme Kosovë-Serbi si dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 09, 2023 14:23 Europe/Tirane
  • Kurti fton opozitën t’i thotë ‘Jo’ Escobarit ashtu siç i thonë atij

Kuvendi i Kosovës po mban seancën plenare.Debati në Kuvendin e Kosovës, vazhdon të zhvillohet me tone të forta mes pozitës e opozitës. Shkas është marrveshja e mundshme Kosovë-Serbi si dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.

Duke ironizuar me opozitën, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ata me aq zell se i thonë atij që mos të pranojë marrëveshjen finale pa njohje reciproke, këtë duhet t’ia thonë edhe përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.  

“Qysh tash ju inkurajon, që ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, ashtu siç m'i thoni mua - aman  thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua”, tha Kurti në fjalën e tij, duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të kryetarëve të PDK-së, LDK e Aak-së.

“Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë sesa kjo”.

Sipas tij, propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje.

“I kam pyetur emisarët se a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm”, deklaroi Kurti, duke shtuar se -“sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre”.

Kryeministri rikonfirmoi se këtë marrëveshje e ka pranuar si platformë solide për të ecur përpara.

“Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian.

Ai i ftoi liderët opozitarë  ta lexojnë planin, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.

Abdixhiku:Askush në Kuvend s`di se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa  foli për takimin e tij me kryeministrin Kurti ne gushtin e vitit të kaluar, ku, së bashku me kryetarin Haradinaj, kishin marrë një dokument në të cilin bëhej fjalë për marrëveshjen finale në mes të Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, ky dokument kishte 6 kapituj,  në të cilin flitej, mes tjerash, për elementet e kornizës së përgjithshme për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në normalizimin e marrëdhënieve mes të Kosovës e Serbisë.

Më tej, Abdixhiku sqaroi përmbajtjen në secilin kapitull, ku në kapitullin e parë flitej për njohjen, në qendër të marrëveshjes finale; në kapitullin e dytë flitej për të kaluarën për dëmet e luftës që Serbia kishte shkaktuar Kosovës e që duhej t’i kompensonte; për të zhdukurit dhe të zhvendosurit; në kapitullin e katërt flitej për reciprocitet të plotë në mes të shqiptarëve në Luginë dhe serbëve në Kosovë; në kapitullin e pestë flitej për rikonsiderimin e të gjithave marrëveshjeve paraprake.

Tutje, Abdixhiku foli për një takim tjetër të radhës në nëntor të vitit të kaluar, ku në takim, së bashku me liderët tjerë partiakë, kishte marrë nga kryeministri Kurti një letër dyfaqësh që ishte i njohur si “Plani franko-gjerman”, që nuk përmbante marrëveshjen finale e ligjërisht të obligueshme.

“As unë, as LDK e as një parti tjetër në Kuvend e asnjë deputet i Kuvendit nuk është në dijeni të përmbajtjes së draftit përfundimtar të dokumentit në fjalë, sepse as unë e asnjë nga deputetët  Kuvendit nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe nuk ka qenë i informuar mbi këtë proces dhe përfundimin e tij”, deklaroi Abdixhiku.

Së këndejmi, Abdixhiku kujtoi cicërimen e datës 6 shkurt, përmes të cilës u kuptua se kryeministri Kurti ka pranuar në parim propozimin në fjalë.

“Si Kuvend, si opozitë e pozitë, të gjithë pa dallim, si shoqëri, askush në këtë Kuvend, nuk e di se çfarë ka pranuar kryeministri i Kosovës”, shtoi më tej kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

RTKlive