Haxhiu: Prokuroria t’i hetojë këto pretendime të Abazit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i139832-haxhiu_prokuroria_t’i_hetojë_këto_pretendime_të_abazit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Haki Abazi për pretendimet e fshehjes së mostrave të vdekjes së Astrit Dehari.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shkurt 16, 2023 10:56 Europe/Tirane
  • Haxhiu: Prokuroria t’i hetojë këto pretendime të Abazit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Haki Abazi për pretendimet e fshehjes së mostrave të vdekjes së Astrit Dehari.

Haxhiu ka thënë se ka kërkuar nga Prokuroria që t’i hetojë këto pretendime të Abazit dhe të ftohet si dëshmitar.

“Menjëherë pasi e kam kuptuar për akuzat e tij nga mediat, kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që të merret me këtë rast, duke pasur parasysh se ky rast është në dorën e Prokurorisë Speciale, dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që dëshmitari i rastit në këtë proces, të jetë deputeti Haki Abazi, sepse ky rast është i ndjeshëm”, ka thënë ajo në prononcim për media.

Ajo tha se ky rast e ka vëmendjen e opinionit publik dhe secili që ka informacione në raport me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit duhet së pari para se të dalë në konferencë për media dhe të bëjë akuza të tilla të shkojë në Prokurori Speciale, dhe përsëriti kërkesën që deputeti Abazi të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale dhe të mos fshihet prapa imunitetit të deputetit.

Prokuroria Speciale do të ftojë për intervistim Haki Abazin

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se do ta ftojë për intervistim deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, pas deklaratave lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Abazi:Ekzistojnë video që tregojnë se kush i zhduki mostrat e rastit Dehari

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konference për media ka shpalosur, siç ka thënë, dështimet e Qeverisë në krye me kryeministrin Albin Kurti.

Ndër të tjera, ai akuzoi rëndë partinë e tij, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.

Abazi tha se kryeministri Kurti dhe të tjerë duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për këtë rast.

Ai tha se porosia e tij për Albulena Haxhiun është që ta kryejë punën e ministres, që e ka obligim para qytetarëve dhe deputetëve.

 Abazi shtoi se ka dorëzuar kërkesë për ta formuar Komisionin Hetimor për Privatizime, por që është bllokuar nga sekretarja e VV-së, Diona Mihali.

Në anën tjetër, theksoi se kryeministri Kurti ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.