Osmani me presidenten sllovene, koordinohen për sigurinë në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar në Mynih, me të cilën kanë diskutuar për dialogun dhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Ky takim është zhvilluan në kuadër të Konferencës për Siguri që po mbahet në Gjermani.
Në takimin e parë bilateral me presidenten Pirc Musar, presidentja Osmani e ka përgëzuar për marrjen e detyrës të së pares së shtetit slloven, ndërsa ka shprehur përkushtimin e plotë për të punuar ngushtë në vazhdimin e bashkëpunimit strategjik me Slloveninë edhe gjatë mandatit të saj, njofton Presidenca kosovare.
Në takim u diskutua në lidhje me situatën gjeopolitike në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe veprimet destabilizuese të Rusisë të cilat kanë tendencë edhe destabilizimin e rajonit përmes satelitit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
“U diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Dialog, si dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. E ndër të tjera, presidentja Pirc Musar e informoi presidenten Osmani mbi prioritetet e saj presidenciale në politikën e jashtme, përfshirë vazhdimin e Samitit Bërdo-Brione. Në takim u rikonfirmua përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
RTKlive