Kurti takon Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, Deutch
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë, është takuar me Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, dhe ish- kongresistin amerikan, Theodore Deutch.
I pari i Qeverisë së Kosovës, foli për arritjet kryesore të qeverisë në këto dy vite. Për progresin ekonomik dhe demokratik, suksesin në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në raportet ndërkombëtare dhe reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit, që kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e imazhit të vendit.
Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti shtoi se Kosova ofron mundësi dhe mjedis të favorshëm për investitorë të huaj, duke ftuar kështu kompanitë izraelite që të eksplorojnë mundësitë për investime në Kosovë.
Ndërkaq, Deutch e uroi kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ai u shpreh mirënjohës për marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Si Komitet, ai tha se mbështesin Kosovën në synimet e saj dhe se janë të gatshëm dhe të vullnetshëm për bashkëpunim.
RTKlive
 
							 
						 
						