Takimi i nesërm Kurti - Vuçiq, kjo është agjenda e takimeve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nesër do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesja e Lartë. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt.
Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.
Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm' deklaroi Lajçak.
RTKlive