Kurti: Po e përmbushim vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i140704-kurti_po_e_përmbushim_vizionin_e_adem_jasharit_për_ushtrinë_e_kosovës
Serbia fashiste e Millosheviqit kishte menduar atëkohë gabimisht se duke vrarë Ademin e Hamzën mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth UÇK-së. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Mars 05, 2023 14:04 Europe/Tirane
  • Kurti: Po e përmbushim vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës

Serbia fashiste e Millosheviqit kishte menduar atëkohë gabimisht se duke vrarë Ademin e Hamzën mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth UÇK-së. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se UÇK, me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër arriti ta fitonte edhe përkrahjen e aleancës së NATO-s dhe veçanërisht të SHBA-së, të cilat u përfshinë më pas në luftë, për t’i dhënë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999.

“Ishte pikërisht kjo luftë ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi  e okupatori dhe më pas na e solli shtetin e republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na e hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kështu nga një popull i shtypur dhe nga një vend i pushtuar në shekullin e kaluar, në këtë shekull jemi bërë një shoqëri moderne, që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe që ka ndërtuar një shtet demokratik, i cili çdo ditë shkon duke u bërë më i fortë e më përparimtar. I aftë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe i përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për secilin, shteti i Kosovës është jetësim institucional i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ai theksoi se që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë lufte, kur trupa artistike ushtarake ‘Hamzë Jashari’ e përbërë nga aktorë dhe ushtarë me uniformë të UÇK-së shënuan njëvjetorin e rezistencës së familjes Jashari, ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz.

“Atëbotë përvjetori i parë i këtyre ngjarjeve ishte shënuar me moton ‘Ai është gjallë’ përpara se sërish të vinte marsi e kjo ceremoni të bëhej e përvitshme e të shënohej me emrin ‘Epopeja e UÇK-së’, kështu siç e quajmë edhe sot. Në këtë 25-vjetor të Epopesë së UÇK-së le të kujtojmë fillet e kësaj tradite përkujtimore të nisur më 5, 6 e 7 mars, të nisur në vitin 1999 kur ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë ‘Ai është gjallë’. Ato ditë ishte koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtojë tërë jetën. U tha ‘Ai është gjallë’ edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të UÇK-së. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarët të FSK-së”, ka shtuar Kurti.

Ai tutje theksoi se origjina e ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve të 80-ta, atëherë kur Adem Jashari filloi të fliste me shokët për nevojën që kishte Kosova për të pasur ushtri.

“Andaj, sot, ne përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me armatime moderne dhe duke u trajnuar dhe stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate. Ashtu sikur më 1991, Adem Jashari ishte stërvitur nga oficerët e Ushtrisë së Shqipërisë, bashkë me 100 vullnetarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ai që mund të quhet krahu tjetër i shqiponjës dykrerëshe, që UÇK-ja do ta mbante në kokë e në krahë, Zahir Pajaziti. Pas këtyre stërvitjesh, Ademi, Hamza dhe shumë shokë të tjerë të përbashkuar rreth idesë së luftës për çlirimin e Kosovës do të krijonin grupet e para të armatosura që më pas do të përbënin qelizat bërthamë, prej të cilave do të ngjizej dhe do lindte UÇK-ja”, ka nënvizuar Kurti.

Ai tutje vuri në pah vitin 1993, kur vëllai më i madh i Adem e Hamzë Jasharit, Rifat Jashari, që punonte në Gjermani, do t’u dërgonte nga Hamzës dhe Ademit uniforma ushtarake.

“Janë ato uniforma me të cilat i kemi parë Ademin dhe Hamzën në fotografitë dhe videoincizimet e asaj kohe. Edhe simbolikisht ato mund të quhen uniformat e para të UÇK-së. Ai që i kishte blerë ato uniforma ushtarake më 1993, duke bërë kështu investimin më të madh dhe më të çmuar për Kosovën, baci Rifat Jashari, sot është mes nesh, përballë mijëra uniformave që mbajnë të veshura ushtarët e FSK-së. Për më tepër që e tëra kjo po ndodh në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të FSK-së që mban emrin kazerma ‘Adem Jashari’. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficer dhe oficerë të FSK-së, sa herë që e veshni uniformën tuaj mos harroni se po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, kryekomandantit të UÇK-së. Ashtu siç keni bërë sot kur jeni përgatitur nën këtë uniformë nëpër kuadrate, për t’u rreshtuar para komandantit tuaj, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, nipit të Komandantit Adem Jashari. Luftëtar i mbijetuar nga luftimet në Prekaz në vitin 1998, ku ai kishte rezistuar bashkë me Ademin, Hamzën, Shabanin dhe të tjerët përballë mijëra policëve serbë dhe prej nga ku kishte arritur të dilte i gjallë, gjeneral Bashkim Jashari nuk është vetëm komandant i FSK-së por edhe zgjatim dhe prani e drejtpërdrejt e asaj historie të lavdishme luftëtarësh çlirimtarë si dhe asaj fryme vlerash e idealesh kombëtaresh të përmbledhura te jeta dhe figura e Adem Jasharit”, ka thënë tutje në fjalimin e tij i pari i ekzekutivit.

Ai tutje theksoi se më 5,6 e 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, ‘aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun dhe ku ishin edukuar të luftonin për lirinë e tij edhe më jetë’.

“Në familjen e Shaban Jasharit u luftua për tre ditë rresht në një rrethim të shumëfishtë të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë, që me makineri ushtarake me përmasa frontale qëlluan me predha dhe bombarduan me ritme shumë intensive mbi shtëpitë e Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz”, ka rikujtuar Kurti ngjarjen që ndryshoi historinë.

Në fund, kryeministri theksoi se FSK është ajo që po e aktualizon vizionin e Adem Jasharit. “Teksa merr pjesë edhe në stërvitje të përbashkëta me partnerët tanë strategjik, gjersa përfshihet në operacionet ndërkombëtare të ruajtjes së paqes, përderisa shtojmë pajisjet, aftësitë dhe buxhetin, FSK është realiteti ynë që po aktualizon vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës. Lavdi kryekomandantit Adem Jasharit, lavdi të gjithë të rënëve më 5,6 7 mars 1998 dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës”, ka përfunduar Kurti.

RTKlive