Borell: Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes
Mbi 10 orë kanë biseduar të shtunën në Ohër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ndërmjetësuesit e BE-së.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano njoftoi fundin e bisedimeve në mbrëmje vonë. Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. “Kam kënaqësinë të them se pas 12 orësh kemi një marrëveshje dhe pajtim. Mund të deklaroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë detyrimet e tyre në mirëbesim”. Palët kanë rënë dakord për themelimin e komunave me shumicë serbe. “Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, u shpreh Borell. Borrell theksoi më tej se BE-ja do ju kërkojë palëve që të përmbushin detyrimet dhe paralajmëroi se “mos-përmbushja e tyre do të ketë pasoja”. Në dokumentin që amerikanët dhe europianët i kanë dhënë Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiç, thuhet se palët nuk kalojnë vijat e kuqe por bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve. Beogradi nuk do të pengojë Kosovën për integrimin. Dokumenti tregon përfitimet dhe ndëshkimet, parashikon themelimin e asociacionit, përfitime ekonomike nëse palët bëjnë marrëveshje dhe nëse e refuzojnë, ndërpritet integrimi.