Borrell: U hodh hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i142062-borrell_u_hodh_hapi_i_parë_drejt_përmbushjes_së_zotimeve
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka vlerësuar se pajtimi i së martës në Bruksel ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë në Ohër.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 05, 2023 12:45 Europe/Tirane
  • Borrell: U hodh hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka vlerësuar se pajtimi i së martës në Bruksel ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë në Ohër.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit. BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim. Përmbushja e zotimeve përkthehet në përparim drejt rrugës së tyre evropiane”, ka shkruar Borrell në “Twitter”.

“Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të cilën do ta organizoj”, ka shkruar tutje Borrell.

Reagimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së vjen pas takimit të djeshëm të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se si hap i parë dhe në përputhje me aneksin, palët u pajtuan për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, i cili do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e nivelit të lartë.

“Është e qartë se ka nevojë për më shumë bisedime për të gjitha çështjet që janë në agjendë, prandaj palët u pajtuan se do të takohen përsëri së shpejti“, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

RTKlive