Vuçiq prezanton ankesat e tij para Listës Serbe
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se të gjitha ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në shtatë ditët e ardhshme, për të dalë me një deklaratë të përbashkët për shumë çështje.
Ndër to, ai tha se është edhe çështjea e zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, në të cilat serbët, siç u shpreh Vuçiq, nuk do të marrin pjesë. Sipas tij, edhe qytetarët nga veriu edhe nga jugu i Kosovës kanë shfaqur zemërim dhe inat të madh ndaj autoriteteve të Kosovës dhe ndaj heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Vuçiq tha se do të ketë një fjalim më të gjatë të enjten dhe të premten.
“Biseduam për të gjitha problemet, gjendjen e sigurisë, e cila është e vështirë”, tha ai. “Pakënaqësia dhe zemërimi i popullit tonë për shkak të shkeljes së marrëveshjes për targa dhe arrestimit të njerëzve, po arrin kulmin”, tha Vuçiq.
Ai tha se kishte ide për të arritur marrëveshje sot dhe për të dalë me qëndrim – por që kjo nuk ishte e mundur, prandaj edhe është terhqur.
I pyetur nga mediat se cila ishte ideja e tij, Vuçiq tha se nuk ishte i kënaqur me atë që prezantoi, sepse e pa që njerëzit (në takim) po kërkonin diçka shumë më të fortë dhe se ai vetë hoqi dorë prej saj.
“Jemi duke punuar në konkluzione, serbët janë në gjendje të tmerrshme me represionin e tmerrshëm nga regjimi i Kurtit, me heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare”, akuzoi ai.
Vuçiq ka thënë se takimi i radhës me Listën Serbe do të jetë në Rashkë, e ku do të jenë të ftuar ministrat dhe kryeministri. “Deri atëherë, do të bihet dakord për një platformë të përbashkët”, tha ai.
“Masat që do t'i prezantojmë para Pashkëve, edhe nëse janë ekonomike dhe sociale, besoj se do të jenë të mira, do të jenë të rëndësishme dhe do ta gëzojnë serbët e Kosovës”, tha Vuçiq. Sa i përket masave të sigurisë dhe politike, siç thotë ai, nuk mund të jenë asnjëherë të lehta.
“Ju duhet të mbroni jetët e atyre njerëzve dhe ata kërkojnë një reagim më të ashpër dhe neve na duhet më shumë kohë që të jemi në gjendje të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë dhe të jemi më të bashkuar”, shtoi ai.
I pyetur për deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se zgjedhjet në veri do të mbahen dhe se ka plane për këtë, Vuçiq tha se ata (Kosova) nuk kanë gjetur askënd që do të votojë.
“Keni zgjedhje ku do të sjellin në veri të Mitrovicës një shqiptar të regjistruar rrejshëm nga jugu i Mitrovicës, i cili do të votojë, do ta zgjedhin atë Sadik apo sido që të quhet dhe si do të duket atëherë? Ky është plani A, mendoj - dhe plani B është që të vrasin serbët, mendoj... Ky plan B nuk do të funksionojë për ta”, tha ai.
Sipas Vuçiqit, pavarësisht se çfarë arrihet në dialog, asnjë marrëveshje nuk vlen për Kosovën.
RTKlive