Serbia mohoi raportin e Reuters për dërgimin e armëve në Ukrainë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç raportin e Reuters për dërgimin e armëve në Ukrainë e quajti "pretendime të pabaza" dhe e hodhi poshtë atë.
Sipas agjencisë së lajmeve “Tas”, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë në një deklaratë citoi Daçiç të ketë thënë se Serbia i përmbahet ligjeve të brendshme dhe ndërkombëtare dhe nëse dërgimi i armëve në një vend të huaj çon në konflikt të armatosur ose në zgjatjen e tij apo në konflikt interesash, atëherë Serbia e refuzon këtë veprim. Sipas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm i Serbisë ka theksuar se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, “nga Serbia nuk është dërguar asnjë armë për asnjërën nga palët. Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dokumentet sekrete të publikuara nga Pentagoni, ka raportuar se qeveria serbe nuk e ka mohuar ofrimin e armëve vdekjeprurëse për ushtrinë ukrainase. Sipas dokumenteve të zbuluara, zyrtarët serbë "kanë refuzuar të ofrojnë trajnime për forcat ukrainase, por janë zotuar se do të dërgojnë armë vdekjeprurëse në Kiev. Ministri i Jashtëm i Serbisë ka njoftuar: Serbia nuk do të eksportojë pajisje ushtarake në asnjë vend që për mendimin tonë është problematik dhe i diskutueshëm. Disa media ruse dhe kanali Telegram kanë raportuar se Serbia ka dërguar raketa në Ukrainë përmes Turqisë dhe Sllovakisë. Ndërsa Beogradi e ka dënuar sulmin e Moskës ndaj Ukrainës, vendi ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë. Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, ka thënë: Moska i ka kërkuar Beogradit të deklarojë qëndrimin e tij zyrtar për raportet se Serbia dërgon armë në Ukrainë.