Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve ishte i imponuar nga kërcënimet e Beogradit
(last modified Mon, 24 Apr 2023 10:29:58 GMT )
Prill 24, 2023 12:29 Europe/Tirane
  • Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve ishte i imponuar nga kërcënimet e Beogradit

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh.

Ai gjithashtu shprehu falënderimet e tij për policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.

Megjithatë, kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij për atmosferën e frikësimit dhe shantazhit që ka ndikuar në daljen e qytetarëve në zgjedhje.

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri tutje uroi kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dhe i inkurajoi ata të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim.

“Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shtuar Kurti.

Në zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar në Leposaviq, derisa Erden Atiq, nga i njëjti subjekt politik ka fituar në Mitrovicën e Veriut. Në Zubin Potok, fitues ka dalë Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa në Zveçan, Ilir Peci, po ashtu nga ky subjekt politik.

Tags