Hill: Draft statuti për Asociacionin, prezantohet më 2 maj në Bruksel
Në hapjen e konferencës së Dhomës Amerikane të Tregtisë në Serbi (AmCham), ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Duke mos komentuar për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të mbajtura të dielën e të cilat u bojkotuan nga qytetarët serbë, Hill tha se për këtë çështje, është deklaruar ambasada amerikane në Kosovë.
E kjo e fundit, ndër të tjera në një deklaratë për publikun ka thënë se SHBA e përkrah një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë.
“Është për të ardhur keq, sipas Ambasadës së SHBA-së, që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme”, ka thënë të dielen, ambasada amnerikane në Kosovë.
Ndërkohë, në Beograd, ambasadori amerikan Christopher Hill ka rikujtuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë, ka marrë një vrull të ri dhe se Asociaconi do të jetë në rend ditë më 2 maj në Bruksel, në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se në bisedimet e ardhshme do të flitet për Asociacionin. Siç e përmenda edhe më parë, marrëveshjet që janë nënshkruar në prani të njerëzve shumë seriozë nga bashkësia ndërkombëtare duhet të zbatohen”, është shprehur Hill, duke shtuar se - “mendoj se ka një plan për 2 maj dhe është shumë e qartë se do të prezantohet (draft -statuti i Asociacionit)”.
“Shpresoj se do të arrihet përparim i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për dialogun”, ka thënë ai.
Këto komente, Hill i bëri në konferencën për media, ku morën pjesë ministri i Jashtëm dhe Tregtisë së Serbisë, Tomislav Momiroviq, dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tatjana Mishçeviq.
Aty, Hill tha se “Ballkani i Hapur” nuk është një proces që mund të zbatohet vetëm nga një vend i Ballkanit Perëndimor, por nga të gjitha vendet.
RTKlive