Presidenti serb sulmon Perëndimin
Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.
Aleksandar Vuçiç foli një ditë pas zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë. Si rezultat, në postet e kryetareve të katër komunave në zonë, u zgjodhën kandidatët shqiptarë. Presidenti Vuçiç vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se ai përfaqësonte “një kryengritje politike paqësore” kundër “pushtuesve” të tyre. Serbët pretendojnë për keqtrajtime nga autoritetet e Prishtinës dhe kërkojnë autonomi për rajonet ku përbëjnë shumicën. “Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiç. Ai me sa duket është i zemëruar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin e Prishtinës që të mbajë zgjedhje në veri kur pritej bojkotimi nga serbët i kërkuar nga Beogradi. Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Presidenti serb Vuçiç tha se ai “ndoshta” do të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të planifikuar për t’u mbajtur në Bruksel më 2 maj, pavarësisht se “nuk priste asgjë” nga ai takim. “Kam frikë se kjo është hyrje në një krize shumë më të thellë”, tha ai.