Schmidt ndryshon Kushtetutën për të mundësuar formimin e qeverisë në Bosnje
(last modified Fri, 28 Apr 2023 12:58:28 GMT )
Prill 28, 2023 14:58 Europe/Tirane
  • Schmidt ndryshon Kushtetutën për të mundësuar formimin e qeverisë në Bosnje

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, bëri ndryshime të përkohshme në Kushtetutën e entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, që pritet ta lehtësojnë formimin e Qeverisë së Federatës si dhe ligjeve penale për parandalimin e mashtrimeve zgjedhore.

Këto ndryshime u bënë për të ndihmuar formimin e një qeverie rajonale pas një bllokimi të gjatë. Kjo i jep parlamentit të Bosnje dhe Hercegovinës një vit kohë për ta hartuar versionin e vet të amendamenteve kushtetuese, shkruan REL. Federata Boshnjako-Kroate, një rajon autonom, nuk ka arritur ta formojë qeverinë që nga zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, sepse partia më e madhe boshnjake, SDA, ka bllokuar çdo propozim që nuk përfshinte ministrat e saj. Ish-politikani gjerman, Christian Schmidt, i cili ka kompetenca të mëdha si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnjën e pasluftës, bëri ndryshime në kushtetutë në mënyrë që vetëm dy nga tre anëtarët e presidencës së Federatës duhet ta mbështesin një qeveri të propozuar për ta dërguar atë në parlament, duke anashkaluar kështu anëtarin e presidencës nga SDA-ja. “Ne duhet të themi se ajo që ne kemi parë është një ngërç politik, jo një luftë mes popujve përbërës”, tha Schmidt gjatë një konferencë për media.

Tags