Chollet bisedon me Kurtin për zbatimin e “menjëhershëm” të Asociacionit
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me takimin e 2 majit mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në Twitter, Chollet tha se kanë biseduar edhe “për rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm” të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kurti tha se me Cholletin kanë diskutuar agjendën e takimit të së martës. Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i tij thuhet, po ashtu, se Kurti theksoi rëndësinë e “zbatimit në tërësi dhe me mirëbesim” të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Kurti dhe Vuçiq do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.