Szunyog uron marrëveshjen Kosovë-BE, për ‘Tregun e Përbashkët’
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i143842-szunyog_uron_marrëveshjen_kosovë_be_për_tregun_e_përbashkët’
Në Bruksel, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e Drejtorja e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, Kerstin Jorna, kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 12, 2023 12:46 Europe/Tirane
  • Szunyog uron marrëveshjen Kosovë-BE, për ‘Tregun e Përbashkët’

Në Bruksel, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e Drejtorja e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, Kerstin Jorna, kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit për Programin e Tregut Unik (SMP)!, raporton RTKlive.

“Kjo marrëveshje do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik, nxitjen e konkurrencës midis SME-ve dhe përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorëve. Një hap i madh përpara”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe Pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën, është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.

Përmes  këtij programi të BE-së “Tregu i Përbashkët” bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve në proces të anëtarësimit në BE.

Programi “Tregu i Përbashkët” do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program.

Në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program, bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në mënyrë që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi shumë domethënëse për zhvillimin e përgjithshëm dhe transformimin ekonomik të vendit tonë.

RTKlive