Qershor 01, 2023 20:10 Europe/Tirane
  • Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veriun e Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje. Ai tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau. Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues. NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg. Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

 

Tags