Demonstrata e dhjetëra mijëra protestuesve në Beograd kundër qeverisë serbe
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i144938-demonstrata_e_dhjetëra_mijëra_protestuesve_në_beograd_kundër_qeverisë_serbe
Dhjetëra mijëra serbë të shtunën dolën në rrugët e Beogradit për të pestën herë në javët e fundit dhe demonstruan kundër qeverisë së vendit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 04, 2023 04:29 Europe/Tirane
  • Demonstrata e dhjetëra mijëra protestuesve në Beograd kundër qeverisë serbe

Dhjetëra mijëra serbë të shtunën dolën në rrugët e Beogradit për të pestën herë në javët e fundit dhe demonstruan kundër qeverisë së vendit.

Sipas AFP, protestat në javët e fundit filluan pas dy sulmeve të armatosura në fillim të majit që lanë 18 të vdekur dhe disa të plagosur. Demonstrata e së shtunës u organizua nga partitë opozitare që favorizojnë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Protestuesit kërkuan ndalimin e gazetave pro-qeveritare dhe anulimin e licencave të stacioneve televizive që ata thonë se promovojnë dhunën. Ata kanë kwrkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe kreut të Organizatës së Inteligjencës Serbe. Në fillim demonstratat e popullit serb ishin paqësore dhe kundër dhunës së armatosur, por pasi u përballën me talljet e presidentit dhe aleatëve të tij, ato u kthyen në protesta antiqeveritare. Këto protesta, të mbajtura nën titullin "Serbia kundër dhunës", kanë qenë të paprecedentë që nga protestat e dy dekadave më parë që çuan në rënien e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq. Kritikët e qeverisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiç e akuzojnë atë për marrjen e masave autokratike dhe krijimin e përçarjes mes opozitës. Vuçiç e quajti demonstratën e protestuesve një veprim "politik" dhe akuzoi fuqitë e huaja për nxitjen e këtyre protestave. Vuçiç ka refuzuar kërkesën e opozitës për formimin e një qeverie kalimtare para zgjedhjeve dhe ka thënë se “për sa të jem gjallë” një gjë e tillë nuk do të ndodhë.