Përplasje verbale mes Presidentëve të Sllovenisë e Serbisë në Beograd  
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i145456-përplasje_verbale_mes_presidentëve_të_sllovenisë_e_serbisë_në_beograd
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu pakënaqësinë e tij ndaj një gazetari slloven, i cili në një konferencë për media, u interesua për protestat kundër dhunës dhe ngjarjeve në parlamentin serb.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Qershor 15, 2023 15:42 Europe/Tirane
  • Përplasje verbale mes Presidentëve të Sllovenisë e Serbisë në Beograd  

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu pakënaqësinë e tij ndaj një gazetari slloven, i cili në një konferencë për media, u interesua për protestat kundër dhunës dhe ngjarjeve në parlamentin serb.

Përgjigjet që ai mori ishin të tilla aq sa u desh që edhe presidentja e Sllovenisë t’i replikojë presidentit serb e cila i dha shpjegim për demokracinë dhe lirinë e fjalës.

Vuçiq të enjten në mëngjes është takuar me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar, e më pas, bashkërisht mbajtën konferencë për media.

 Në njërën prej pyetjeve, gazetari i TV Sllovenisë e lidhi vazhdimin e protestës “Serbia kundër dhunës” dhe mungesën e kuorumit në parlamentin serb, gjë që ishte një mundësi për presidentin serb që të sulmonte.

“Faleminderit shumë për pyetjet tuaja, sepse një pjesë e atyre pyetjeve tregojnë se si dhe pse Bashkimi Evropian nuk është aq popullor sa ne të gjithë do të donim që të ishte në vendin tonë”, tha Vuçiq.

“Nganjëherë, për shkak të vullnetit tënd të tepruar për mirë, njerëzit ndihen të poshtëruar, sepse shohin se do të përziheshe në gjëra në të cilat nuk do të lejoje askënd tjetër të përzihej kur bëhet fjalë për vendin tend”, nisi përgjigjen e tij me ironi, presidenti i Serbisë, raporton N1.

Duke folur për protestat kundër dhunës, presidenti tha se ka 10 vite që po zhvillohen protesta, duke nënvlerësuar rëndësinë e tyre me deklaratën- “një protestë si çdo protestë”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt gazetarit, ai përsëriti vazhdimisht se Serbia, ndryshe nga BE-ja, nuk e ka praktikën e “vrasjes së zotit të protestuesit”.

“Më parë ka pasur çdo ditë, tani ka protesta në fundjavë. Me përjashtim të thirrjes për varjen time, ata janë të qetë. Dhe ndryshe nga praktika juaj e vendosur në BE për të vrarë zotin te protestuesit, këtu është paqësore. Ata vijnë, mblidhen, shpërndahen dhe gjithçka është në rregull”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se policia ka lejuar protestuesit të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit, apo godinën e RTS-së, duke iu kthyer temës së standardeve të BE-së për rrahjen e protestuesve.

“Ne ende do të duhet të punojmë në ato reforma evropiane, padyshim që ne jemi larg standardeve tuaja në BE kur bëhet fjalë për rrahjen e protestuesve dhe në këtë drejtim shpresoj se nuk do të përparojmë me shpejtësinë që pritet nga ne”, tha Vuçiq.

Ky prezantim e detyroi mysafiren nga Sllovenia, përkatësisht presidenten e këtij shteti, t’i  reagojë dhe replikojë Vuçiqit.

Ajo tha se demonstratat në çdo vend janë një akt legjitim dhe demokratik dhe se interesimi i gazetarëve për protestat dhe ngjarjet në Serbi, si dhe raportimi për to, përfaqëson lirinë e shprehjes.

“Vetëm pak sepse dua të rapikojë në këtë që tha presidenti Vuçiq. Fakti që media raporton për demonstratat është liri e shprehjes dhe shpresoj se nuk e keni fajësuar gazetarin për pyetjen”, tha ajo.

 "Demokracia është gjithashtu liri e medias dhe ne duhet të punojmë gjithashtu për këtë," tha Pirc Musar, duke shtuar se ka protesta në Slloveni dhe Bruksel.

Vuçiq nuk ka lejuar që përgjigja e presidentes së Sllovenisë të jetë e fundit, ndaj është përgjigjur se i është mirënjohës -“gazetarit tuaj që ka bërë një pyetje të tillë”.

“Në vendin tonë, natyrisht, liria e medias është e tillë që çdo ditë duhet të përgjigjem nëse jam Hitleri apo Musolini. Nuk e dua atë nivel lirie për ju”, ka përfunduar Vuçiq.

RTKlive