Arrestohet edhe një nga sulmuesit e gazetarëve në veri të Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i145582-arrestohet_edhe_një_nga_sulmuesit_e_gazetarëve_në_veri_të_kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ditën e sotme, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë që lidh Kosovën me Serbinë është arrestuar edhe një person që ka sulmuar gazetarët në veri të Kosovës.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Qershor 18, 2023 09:16 Europe/Tirane
  • Arrestohet edhe një nga sulmuesit e gazetarëve në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ditën e sotme, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë që lidh Kosovën me Serbinë është arrestuar edhe një person që ka sulmuar gazetarët në veri të Kosovës.

 Sveçla tha se bëhet fjalë për Dalibor Spasiq.  “Në vendin tonë demokratik, aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla në Facebook. Ditën e djeshme është arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.  Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.  Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.