Baraliu: 25 kushte të çuditshme në rrugën e Kosovës drejt BE-së
Analisti politik Mazllum Baraliu, tha se vazhdimi i dialogut në Bruksel, zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara, deeskalimi i situatës në veri të Kosovës dhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në katër komuna janë çështje që duhet të jenë në qendër të vëmendjes pas pushimeve verore.
Duke komentuar situatën politike në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, Baraliu në programin e mëngjesit të RTK2 tha se “është koha që të bëjmë diçka në të mirë të qytetarëve”.
Ai tha se përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës në një takim dialogues me Miroslav Lajçak në Bratislavë është pajtuar për zbatimin gradual të marrëveshjes nga Brukseli dhe Ohri.
“Nga zyrtarë ndërkombëtarë është paralajmëruar se do të ketë presion mbi Kosovën dhe Serbinë që t'i zbatojnë ato marrëveshje dhe kjo është më e rëndësishmja dhe në atë frymë do të ketë deeskalim të situatës, siç e quajnë ata, si dhe zgjedhje të reja në katër komuna në veri të Kosovës”, vlerëson Baraliu.
Ai vlerëson se është e nevojshme të ndryshohet mënyra e politikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për fat të keq, ai dialog ka më shumë se dhjetë vjet dhe në fakt rezultatet nuk janë të dukshme, kështu që kjo mënyrë e zhvillimit të dialogut nuk çon askund, sepse nuk ka treguar rezultate. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si punojmë dhe të gjejmë një mënyrë diplomacie më aktive që do të japë rezultate konkrete. Nëse vazhdohet kështu – dy hapa përpara, një hap prapa, nuk do të çojë askund dhe asgjë nuk do të zgjidhet”, tha Baraliu.
Sa i përket masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ai pret që ato të mos kenë të bëjnë me liberalizimin e vizave, çështje kjo që i shqetëson qytetarët e Kosovës për shumë vite dhe zbatimi i së cilës pritet me padurim në fillim të vitit të ardhshëm.
“BE-ja kishte kritere të ndryshme për vende të caktuara kur është fjala për liberalizimin e vizave, në mos gaboj Kosova është dashur të plotësojë 25 kushte të cilat jo vetëm nga natyra, por edhe rastësisht janë të çuditshme dhe të panevojshme. Kosova është e vetmja pikë e zezë në Evropë pa mundësi që qytetarët të lëvizin lirshëm, tashmë është zgjidhur në një farë mënyre, që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nëse kjo çështje nuk përfshihet në masat ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe nuk duhet të jetë, edhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza”, tha Baraliu.
Sipas tij detyra e secilës opozitë është të rrëzojë qeverinë në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet e mundshme.
Baraliu, ka komentuar kritikat e përfaqësuesve të partive opozitare ndaj kryeministrit të Kosovës. “Gjithçka që është bërë është bërë në frymën e sundimit të ligjit dhe Kushtetutës dhe kjo është një nga vlerat themelore evropiane”, tha Baraliu.
RTKlive