Osmani: Mbajtja e zgjedhjeve në veri nuk ka të bëjë me referendum
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit nuk ka të bëjë me referendum.
Në një konferencë për media të mbajtur të premten gjatë vizitës në Istog, ajo ka thënë se po krijohet një lloj paqartësie, ndërsa ka shtuar se iniciativa për largimin e kryetarëve është e paraparë me ligj. “Po krijohet një lloj paqartësie dhe një lloj hutie. Nuk e di a është e qëllimshme apo jo dhe kjo çështje po lidhet me referendumin, kjo nuk ka fare të bëjë me referendum, është një kategori komplet tjetër ligjore. Iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj. Pra, ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave, jo vetëm këtyre katër komunave, të drejtën që nëpërmjet peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune nëpërmjet votës. Nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, është shprehur Osmani para mediave. Ajo më tutje ka thënë se vullneti nga ana e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve në veri ekziston, por sipas saj, tani duhet edhe serbët në këto komuna të tregojnë vullnetin për pjesëmarrje në votim. “Dhe mbi të gjitha Serbia duhet ta dëshmojë, gjë që nuk e ka dëshmuar akoma, që nuk do të ndërhyjë ilegalisht, siç ka bërë në të kaluarën, në zgjedhje që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës. I bëjmë natyrisht thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë, aleatëve tanë, që të bëjnë çmos që të parandalojnë ndërhyrje të tilla të paligjshme që shpesh herë kanë përfunduar me dhunë e frikësim ndaj qytetarëve serbë në veri, që të mos i lejojnë ato që të bëhen nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Osmani mes tjerash.