Perëndimi duhet ta ruajë aleatin e tij ballkanik!!!
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i147328-perëndimi_duhet_ta_ruajë_aleatin_e_tij_ballkanik!!!
Letra e fuqishme në përmbajtje dërguar dje në Departament të Shtetit dhe në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga dhjetëra kryetarë komisionesh për marrëdhënie me jashtë të shteteve perëndimore, ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 07, 2023 14:02 Europe/Tirane
  • Perëndimi duhet ta ruajë aleatin e tij ballkanik!!!

Letra e fuqishme në përmbajtje dërguar dje në Departament të Shtetit dhe në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga dhjetëra kryetarë komisionesh për marrëdhënie me jashtë të shteteve perëndimore, ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare.

Tashmë edhe media prestigjioze britanike si “The Telegraph” ka raportuar gjerësisht për të. Media britantike qysh në titull e shtron përmbajtjen e saj si “Perëndimi duhet ta mbrojë Kosovën nga Serbia dhe Rusia, paralajmërojnë politikanë të lartë” derisa në paragraf të parë e jep si “Perëndimi po dështon të ruajë Kosovën nga agresioni serb dhe rus për shkak të politikave të saj naive dhe dhe të anshme, kanë paralajmëruaj politikanë të lartë nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara”.

“Në një letër të ndarë me ‘The Telegraph’, ata thonë se qasja e Perëndimit ndaj shtet-ndërtimit në Kosovë ka ‘të meta’ dhe do të lë aleatin ballkanik të tyre të cenueshëm”.

Letra, siç thonë ata, i është drejtuar James Cleverly-t, Ministrit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Anthony Blinken, Sekretarit amerikan të Shtetit dhe Josep Borrell-it, shefit të politikës së jashtme të BE-së.

Dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës, i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë. Pas kësaj letre të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetëve evropiane, analistët në Kosovë vlerësojnë se përmes saj, duket se kërkohet një lloj ndryshimi në politikën e jashtme të BE-së dhe ShBA-së, por që sipas tyre, mbetet të shihet nëse do të ketë efekt apo jo.

Letra e politikanëve amerikanë dhe evropianë për të ndryshuar qasjen ndaj Serbisë, e përkrahë pozicionin politik të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe në zhvillimet e muajve të fundit. Kështu vlerëson analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili tha për Radio Kosovën se kjo letër është shumë pozitive për shtetin tonë, por që nuk është e sigurt se sa do të ketë efekte konkrete.

“Nuk është e sigurt se sa do të ketë efekte konkrete. Pra, do të ishte mirë për Kosovën që të kishte sa më shumë efekte të tilla,  sepse kjo do të ndryshonte edhe raportin në të mirë të Kosovës. Çështja është se vendimmarrësit në ShBA dhe BE kanë kalkulime të veçanta, e nuk është krejtësisht e qartë se sa do të ndikohen këto planifikime strategjike afatgjate të tyre nga kjo letër”, deklaroi Muhaxheri.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, tha se përmes kësaj letre duket se kërkohet një lloj ndryshimi në politikën e jashtme të BE-së dhe ShBA-së. Megjithatë, ai tha se nuk ka ndonjë sinjal që mund të ketë ndonjë lëvizje ndryshe.

“Ky është hapi i parë për të bërë një presion apo trysni në politikën e jashtme të ShBA-së dhe BE-së, që qasja të ndryshojë pozitivisht rreth Kosovës dhe së paku të arrihet një balancim i gjendjes. Tani është në duart e BE-së dhe ShBA-së, pra zyrtarëve të tyre shtetërorë, që bëjnë politikën e jashtme, të vendosin se çfarë do të bëjnë. A do të merren vazhdimisht me Kosovën me këtë qasje të gabueshme, apo do të balancojnë qasjen e të merren edhe me Serbinë, që deri më tani nuk ka ndodhur. E për këtë po fajësohet edhe Lajçak, edhe Borrell hiç keq nuk e ka lënë”, tha Burjani.

Ndërkohë, edhe deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, tha se është e nevojshme diplomacia parandaluese.

Ajo në një postim në Twiter ka shkruar se “10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetë i kanë bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasjen tonë ndaj Kosovës dhe Serbisë." Sipas saj, “kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës.”