Ndryshimet e Kushtetutës krijojnë përplase në Shkup
(last modified Sun, 20 Aug 2023 18:14:14 GMT )
Gusht 20, 2023 20:14 Europe/Tirane
  • Ndryshimet e Kushtetutës krijojnë përplase në Shkup

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkon me çdo kusht shpalljen e shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme, për të kapërcyer gjendjen e krijuar politike pas ndërprerjes së seancës së parlamentit për ndryshimet kushtetuese.

Ndërkaq, pushteti e akuzon VMRO-në për politikat e saj anti-evropiane. Analistët, ndërkohë, nuk e përjashtojnë mundësinë e thellimit të krizës politike në vend, një gjë që do të kishte pasoja për rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut. Ky vend duhet të përfshijë pakicën bullgare në kushtetutën e saj, si kusht për të vazhduar bisedimet me Bashkimin Evropian. Por, për këtë i duhen dy të tretat e votave në parlament. Opozita maqedonase ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në një kohë kur vendi po përballet me sfidat e ndryshimit të kushtetutës dhe rrjedhimisht rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. VMRO-DPMNE-ja duke parë se shumica parlamentare nuk ka dhe nuk po mund të arrijë shifrat e nevojshme prej dy të tretës së ligjvënësve që do të votonin përfshirjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës, tani si zgjidhje të vetme e shikon daljen e shpejtë në zgjedhje të parakohshme. VMRO-ja e kundërshton me ngulm miratimin e ndryshimit të kushtetutës duke e quajtur gatishmërinë e pushtetit për këtë si “një diktat bullgar”. Edhe opozita shqiptare dëshiron zgjedhje të parakohshme, ndonëse ajo nuk e përjashton mundësinë e votimit të ndryshimeve kushtetuese. Ndërkohë, partitë e koalicionit qeveritar theksojnë se ideologjia e vetme e VMRO-DPMNE-së është bllokimi dhe izolomi i vendit. Kryeministri Kovaçevski vlerëson se qytetarët me orientim pro-evropian nuk do ta harrojnë dhe nuk do t’ia falin këtë gjë VMRO-së. Bashkimi Evropian i ka vënë kusht Maqedonisë së Veriut që ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj pas një kompromisi për këtë në mes Shkupit dhe Sofjes.

 

Tags