Vuçiq: Është e qartë se Kurti nuk dëshiron marrëveshje për Asociacionin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 shtator se për të ishte “e qartë që në fillim” se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron “asnjë marrëveshje” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se të ndodhë “ajo që Kurti e quan njohje joformale”.
Këtë deklaratë Vuçiq e bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë ekspozimit të armatimit, pajisjeve ushtarake dhe një pjesë të kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Serbisë, në Nish, në jug të vendit. “U jam mirënjohës njerëzve në Bashkimin Evropian (BE) që e bënë të qartë se kush është përgjegjës”, tha Vuçiq. Ai, po ashtu, ka thënë se nuk do të bëjë asgjë që do të dëmtonte interesat e Serbisë. Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se të dyja palët kanë qëndrime të kundërta, se Kurti fillimisht dëshiron aspektin politik të normalizimit, ndërsa Serbia dëshiron të fillojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për kompromis. Sipas Borrellit, Kurti ka konsideruar se hapi i parë duhet të jetë njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Kurti, nga ana tjetër, ka thënë se në takim “as pala serbe dhe as ajo e Brukselit nuk kanë pasur asnjë dokument, si propozim”.