BE: Asociacioni të fillojë menjëherë, pa vonesa dhe kushte
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur se BE konsideron se formimi i Asociacionit duhet të fillojë menjëherë, pa vonesa dhe kushte.
Derisa theksoi se po monitorojnë me kujdes situatën në veri të Kosovës, dhe se po ndjekin me vëmendje rastin e arrestimit të tre serbëve të dyshuar për krime lufte. Në konferencën për media, Stano tha po ashtu se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e mori përsipër, andaj siç tha ai, duhet të dorëzohet. Ai ka thënë se pikëpamja e BE-së lidhur me situatën në veri të Kosovës është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare. Sa i përket arrestimeve të tre serbëve të arrestuar për krime lufte në Kosovë, zëdhënësi i BE-së tha se BE po ndjek me vëmendje rastin dhe se nëse do të jetë e nevojshme do të reagojë publikisht. Peter Stano theksoi se autoritetet evropiane nuk janë duke vënë në dyshim asgjë, vetëm se po komunikojnë për të pasur ‘një pasqyrë’ të pastër të rastit.