Tetor 03, 2023 21:04 Europe/Tirane
  • Kosova kërkon që të sanksionohet Serbia

Kosova po kërkon sanksionimin e Serbisë pas dëshmive të reja se financoi grupin terrorist që sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi po ashtu ekstradimin e pjesëtarët e grupit terrorist. “Çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është çështja e sigurisë për Kosovën dhe ndëshkimin e sulmuesve dhe Serbisë’, tha Kurti. Në prag të procesit të Berlinit, kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se Serbia nuk dëshiron bashkëpunim rajonal.  “Derisa unë kam qenë në tryezën e dialogut në Bruksel dhe në samitet e Procesit të Berlinit për të lidhur marrëveshjet për të ardhmen, siç kemi parë para një jave Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji ynë në veri nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal, për anëtarësim në BE”, tha Kurti. Edhe opozita po kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe ndëshkim për sulmin terrorist.  “Bashkësia ndërkombëtare të merr një pozicion të qartë, si BE, NATO, SHBA që Serbia të ndëshkohet dhe po ashtu terroristët”, tha Ramush Haradinaj kryetar i AAK-së. Institucionet e Kosovës janë duke vazhduar me hetimet për të zbardhur atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. Hetime të tilla, sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë nisur edhe në shtetin serb. Të dielën e 24 shtatorit, pas një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.

 

Tags