Nëntor 07, 2023 07:51 Europe/Tirane
  • Italia transferon emigrantët e paligjshëm në Shqipëri

Qeveria italiane të hënën njoftoi se tani emigrantët që do të shpëtojnë në Detin Mesdhe do të transferohen në qendrat në Shqipëri.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni në këtë drejtim arritën një marrëveshje gjatë një takimi në Romë. Në një deklaratë që detajonte marrëveshjen, zyra e Melonit tha se dy qendra do të ngrihen për të strehuar rreth 3,000 njerëz për të "përpunuar në mënyrë të shpejtë aplikimet ose për të riatdhesuar emigrantët e shpëtuar në det". Këto qendra do të krijohen me buxhetin italian dhe në portet "Shengjin" dhe "Gjadër" në veriperëndim të Shqipërisë, ku mendohet se do të presin 39 mijë persona në vit. Pas një sërë negociatash disa javore në konfidencialet të plotë, duke i kapur të gjithë në befasi, kryeministria e Italisë Geogia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, në Romë, hodhën firmat në një protokoll bashkëpunimi për menaxhimin e emigrantëve që mbërrijnë nga Afrika në brigjet e Gadishullit Apenin. Kryeministria e Italisë shpjegoi rolin e Shqipërisë në këtë marrëveshje, e cila e kthen vendin tonë nga një vend eksportues emigracioni drejt BE-s, në një vend përpunues emigrantësh për llogari të vendit fqinj. Kampet e refugjatëve që do duan të hyjnë në Itali e më tej në Bashkimin Europian do të ndërtohen në zonën e Gjadrit në Lezhë. Sipas marrëveshjes, Italisë i jepet e drejta e përdorimit të zonave të përcaktuara pa kundër-shpërblim. Zonat që do të jepen në përdorim do të menaxhohen tërësisht nga pala italiane, sipas juridiksionit të shtetit italian. Është dakordësuar që numri i emigrantëve prezent në zonat e caktuara nuk do të kalojë shifrën 3.000. Ata do mbahen në strukturat pritëse, vetëm me qëllimin e kryerjes së procedurave kufitare të riatdhesimit dhe pas përfundimit të tyre do të nxirren jashtë territorit të Shqipërisë. Afati maksimal i qëndrimit të tyre do të jetë në përputhje me afatin e përcaktuar në legjislacionin italian për këto procedura. Transporti në territorin shqiptar dhe shoqërimi i emigrantëve pas përfundimit të procedurave jashtë këtij territori do të kryhet nga italianët. Do jetë shteti italian që do kujdeset për shpenzimet, ushqimin dhe kushtet higjeno-sanitare dhe shërbimet shëndetësore në kamp. Çdo ndihmë nga Shqipëria do të bëhet kundrejt pagesës. Sigurinë në kamp do e ruajnë vetë italianët ndërsa policia shqiptare do angazhohet të ruajë sigurinë në perimetrin e jashtëm si dhe gjatë transportit të emigrantëve nga njëra zonë në tjetrën. Policia shqiptare hyn në kampe vetëm në raste rreziku potencial. Emigrantët nuk do të jenë të lejuar të dalin jashtë zonave të caktuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në territorin shqiptar. Në rastet kur kjo nuk do të respektohet, pas lokalizimit nga ana e autoriteteve shqiptare, emigrantët do të rikthehen përsëri brenda zonave, duke iu dorëzuar palës italiane. Të gjitha shpenzimet për ngritjen e qendrave dhe infrastrukturës së tyre në zonat e caktuara, shpenzimet shëndetësore, shpenzimet në lidhje me sigurinë do të mbulohen 100% nga pala italiane.

Tags