Shkurt 21, 2024 20:21 Europe/Tirane
  • Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Më ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka qëndruar në Finlandë, ku është pritur në takim nga ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen.

Në këtë takim, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij finlandez rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë rreth sigurisë në Republikën e Kosovës dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Gjithashtu, ai e informoi ministrin finlandez të Mbrojtjes rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e aktorëve autokratikë.

Nga ana e tij, ministri Hakkanen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.

 

Tags