Mars 28, 2024 10:28 Europe/Tirane
  • Stradner: Vuçiq dhe Dodik po përgatisin jetësimin e idesë për “botën serbe”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar qytetarët serbë për disa veprime të rëndësishme të cilat ka thënë se do të merren gjatë ditëve në vijim.

Pavarësisht se është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sërish e ka takuar presidentin e entitetit të Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik.

Vuçiq me këtë rast ka bërë një njoftim në llogarinë personale në rrjetin social Instagram, raporton danas.rs.

“Një bisedë e mirë me presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik. Përgatitjet për kuvendin e madh të Pashkëve po shkojnë mirë dhe jam i bindur se deri atëherë do të përgatisim një numër të madh vendimesh të rëndësishme dhe të dobishme për popullin tonë”, pohoi ai.

Kujtojmë se ata të dy së fundmi ranë dakord me Patriarkun Porfiri që më 5 dhe 6 maj në Beograd dhe pjesë të tjera të vendit të mbahet Kuvendi i madh i Pashkëve të Serbisë dhe Republikës Serbe.

“Në atë Kuvend do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb në vatrat e tyre, përparimin e tij ekonomik, ruajtjen e gjuhës serbe dhe alfabetit cirilik dhe të trashëgimisë së përbashkët kulturore”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Vuçiqit.

Për më tepër, Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022.

Ndërkohë, Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Washington e ka veçuar datën 5 maj si ditën kur liderët e Ballkanit, përfshirë Vuçiqin dhe liderin e entitetit të Republika Srpska, Milorad Dodik, pritet të organizojnë një ngjarje të rëndësishme që mund të kontribuojë në idenë e një “bote serbe”.

Stradner e ka krahasuar këtë ngjarje me fjalimin historik të Slobodan Millosheviqit nga viti 1989 dhe tregon se ka shqetësime nga mesazhet e Vuçiqit si provokime që mund të sjellin luftë.

Për sa i përket spektrit të teorive që rrethojnë Ballkanin dhe veçanërisht Serbinë, një raport i shpërndarë në platformën “X”, vë në dukje se Moska po përfiton nga kjo situatë për të shkaktuar edhe më shumë destabilitet.

Ekspertë të ndryshëm në mediat ruse janë duke u marrë me interpretimin e deklaratave të Vuçiqit, duke u atribuuar atyre arsye të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për dinarin serb, si dhe krizat e tjera të shpeshta në rajon si mënyra të vendosjes së presionit mbi Beogradin.

Ndërkohë, janë duke u përhapur edhe teori të cilat lidhen me vendimet e Kristijan Šmit, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, për ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe diskutimet e pritshme në OKB për një rezolutë rreth gjenocidit në Bosnje, të cilat sipas Aleksandar Vulin, ish-shefit të inteligjencës serbe, përbëjnë pjesë të një “komploti kundër serbëve”.

Kanali Ribar në platformën Telegram i referohet një mundësie që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të iniciojë një rezolutë për gjenocidin në Bosnjë, dhe paralajmëron se hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë një nga arsyet e paralajmërimit të Vuçiqit.

Ndërsa agjencia ruse e lajmeve Tass thekson se shqetësimet e Vuçiqit janë lidhur ngushtë me çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.

 

Tags