Prill 01, 2024 20:12 Europe/Tirane
  • Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, situatën e sigurisë në katër komunat veriore të Kosovës e ka quajtur të qetë, por të brishtë.

Sveçla tha se kjo është për shkak të tensioneve të vazhdueshme.

Në një intervistë për ”News24”, ai e ka quajtur destruktive qasjen e Beogradit karshi Kosovës.
“Situata në katër komunat e veriut të Kosovës është momentalisht e qetë, por e brishtë. E brishtë për shkak të tensionimeve të herëpashershme, por edhe për shkak të një qasjeje destruktive të Beogradit karshi Kosovës, karshi kësaj zone, por edhe karshi edhe vetë qytetarëve tanë me kombësi serbe. Beogradi, konkretisht Vuçiq dhe qeveria e tij, varësisht prej politikave të brendshme të tyre, kanë përdorur serbët e Kosovës, kanë përdorur këtë territor që të shkaktojnë tensione jo vetëm për Republikës e Kosovës, por tensione edhe në rajon e më gjerë. Ata synojnë të shantazhojnë, së pari Kosovën, por edhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Sveçla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës ka thënë se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën.

Sipas tij, nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ata të nisin sulmin.

Ai ka shtuar se forcat e Kosovës po përgatiten për ta parandaluar çdo skenar serb.

 

Tags