Prill 17, 2024 20:40 Europe/Tirane
  • BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e fundit të autoriteteve serbe, të cilat kanë bllokuar hyrjen e qytetarëve nga Kosova në pikat kufitare serbe, duke e quajtur si shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se institucionet evropiane janë duke monitoruar nga afër situatën.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes,” ka deklaruar Stano.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian se pret nga të dyja palët që të zbatojnë me përkushtim detyrimet e tyre në kuadër të dialogut, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese.

Institucionet kosovare kanë etiketuar veprimin si përpjekje për hakmarrje nga Serbia, në përgjigje të votimit pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë Asamblesë së fundit Parlamentare.

 

Tags