Takim urgjent i Erdoganit pas paralajmërimit për një grusht shteti të mundshëm
(last modified Wed, 15 May 2024 09:23:49 GMT )
May 15, 2024 11:23 Europe/Tirane
  • Takim urgjent i Erdoganit pas paralajmërimit për një grusht shteti të mundshëm

Pas paralajmërimit të kreut të Partisë Lëvizja Nacionaliste Turke, Devlet Bahçeli se disa institucione të sigurisë po përgatiteshin për një grusht shteti të mundshëm, Erdogan zhvilloi një takim urgjent me krerët e Inteligjencës dhe të Ministrisë së Drejtësisë të vendit të tij.

Sipas agjencisë së lajmeve Sputnik, shkarkimi i disa oficerëve të policisë në Departamentin e Sigurisë së Ankarasë me akuzën e lidhjes me organizatën kriminale dhe mafioze “Ayhan Bora Kaplan” ka shkaktuar shqetësim të gjerë. Shtëpitë e këtyre individëve u kontrolluan për të kapur pajisje dixhitale.

Bahçeli, kreu i Partisë Lëvizja Nacionaliste, tha se kjo situatë mund të jetë një komplot kundër qeverisë dhe se një grusht shteti i mundshëm nuk mund të parandalohet vetëm me pezullimin e disa punonjësve të policisë. Duke folur në një mbledhje partiake në parlament, ky zyrtar paralajmëroi kundër përsëritjes së mundshme të grushtit të shtetit të vitit 2016 në Turqi.

Me këtë paralajmërim, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar në rezidencën e tij një takim urgjent me ministrin e Drejtësisë Yilmaz Tunc dhe drejtorin e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë, Ibrahim Kalin. Erdogan do të flasë sot për këtë çështje edhe në parlament, në mbledhjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Në lidhje me grushtin e dështuar të 2016-ës, Ankaraja ka akuzuar anëtarët e organizatës “Fet'hullah Gylen”, një klerik me origjinë turke me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas atij incidenti, më shumë se 80,000 njerëz u arrestuan në Turqi dhe rreth 150,000 punonjës të qeverisë dhe personel ushtarak u pushuan ose u pezulluan nga puna për shkak të lidhjes së tyre të dyshuar me organizatën "FETO". Gylen, i cili jeton në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1999, i ka mohuar akuzat dhe e ka dënuar grushtin e shtetit.

 

Tags