Serbia dështon në hapjen e kapitujve për anëtarësimin në BE
Megjithë përpjekjet e mëdha të Hungarisë – e cila kryeson aktualisht presidencën e BE-së – për ta shtyrë hapjen e kapitullit të tretë të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, vendet anëtare nuk kanë arritur pajtim për një gjë të tillë të hënën.
Disa shtete anëtare vlerësojnë se Serbia – megjithëse ka shënuar përparim në disa fusha – nuk ka bërë mjaftueshëm për ta merituar avancimin e negociatave të anëtarësimit.
Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndër vendet e BE-së, të cilat, sipas burimeve diplomatike, kanë qenë kundër ose kanë pasur rezerva, janë tri shtetet baltike, por edhe Holanda, Kroacia, Finlanda dhe Suedia.
Arsyet të cilat më së shpeshti janë përmendur për të mos ia dhënë dritën e gjelbër Serbisë tani për tani, janë dështimi i Beogradit për t’i përshtatur qëndrimet e veta me ato të BE-së në fushën e politikës së jashtme, sidomos me sanksionet ndaj Rusisë.
Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së kanë arritur pajtim për të hapur kapituj të ri në procesin e negociatave me Shqipërinë.
Ato kanë kërkuar që Shqipëria ta shpalosë pozitën e vet negociuese me qëllim që më 17 dhjetor të hapen kapitujt që kanë të bëjnë me fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.