Pas kryeministrit të Serbisë, jep dorëheqje edhe kryetari i Novi Sadit
Pas kryeministrit të Serbisë, dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq.
Gjuriq, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit.
“Si njeri i përgjegjshëm dhe politikan i përgjegjshëm, po jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit. Stabiliteti dhe qetësimi i tensioneve dhe ndalimi i ndarjeve të mëtejshme në shoqëri janë kushte kyçe për përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Novi Sadit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të tij”, ka thënë ndër tjerash ai.
Dorëheqja e tij vjen pasi kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen të martën pas disa muaj protestash në Serbi.
Dorëheqja e Vuçeviqit erdhi vetëm një ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi një “rikonstrukturim urgjent dhe të gjerë të qeverisë” në përgjigje të kërkesave të paraqitura nga studentët grevistë të universitetit të Serbisë.
Të hënën, demonstruesit filluan një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi kyç të trafikut në kryeqytetin Beograd, duke rritur presionin mbi autoritetet.
Fermerët serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi disa javë protestash duke kërkuar përgjegjësi për një aksident vdekjeprurës në Novi Sad, për të cilin kritikët kanë fajësuar korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.