Përleshje e studentëve me policinë para Kishës në Prishtinë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i28168-përleshje_e_studentëve_me_policinë_para_kishës_në_prishtinë
Policia e Kosovës ka arritur të vendosë nën kontroll një situatë të tensionuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, kur një numër studentësh provuan të vendosin një pankartë në objektin e Kishës Ortodokse serbe që ndodhet në këtë hapësirë, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 17, 2016 14:08 Europe/Tirane
  • Përleshje e studentëve me policinë para Kishës në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arritur të vendosë nën kontroll një situatë të tensionuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, kur një numër studentësh provuan të vendosin një pankartë në objektin e Kishës Ortodokse serbe që ndodhet në këtë hapësirë, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.

Policia tha se një pjesëtar i saj u lëndua gjatë përplasjes me studentët, por nuk dha asnjë hollësi për numrin e protestuesve të ndaluar. Agron Borovci, nga Policia e Kosovës tha se "nuk raportohet për persona të arrestuar nga ana e policisë, përveç vënies nën kontroll të disa prej pjesëmarrësve që kanë qenë jorespektues ndaj rekomandimeve të zyrtarëve policorë që kanë monitoruar protestën”. Sipas Borovcit, "aktiviteti i studentëve është ndërmarrë në oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës përpara Kishës Ortodokse serbe të papërfunduar, përmes së cilit është kundërshtuar funksionalizimi saj”. Pankarta që studentët provuan të vendosin në objektin e papërfunduar të Kishës Ortodokse mbante mbishkrimin për, siç thuhej, “një objekt të ndërtuar në mënyrë ilegale” dhe ajo u vendos pas tensioneve të ngritura kur policia fillimisht e hoqi atë. Protesta e studentëve u organizua nga Lëvizja "Studim Kritikë Veprim", së bashku me organizatat tjera të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe kishte për synim bllokimin e punimeve në, siç thuhet, “funksionalizim të saj”. Kisha në kampusin e UP-së, u ndërtua gjatë viteve '90, nën administrimin serb dhe ajo, pas luftës në Kosovë, u ruajt për një kohë nga forcat ndërkombëtare. Për vite të tëra objekti i pandërtuar i saj nuk u shfrytëzua, ndërkohë që autoritetet kishtare ortodokse serbe kanë kërkuar që ta funksionalizojnë atë. Çështja e pronës, thonë zyrtarë të komunës së Prishtinës, është kontestuese dhe inspektorët e saj, ditë më parë ndaluan punimet e filluara të një grupi murgjish serbë në pastrimin e objektit dhe oborrit përreth tij.