“Viti 2016 me mungesë të theksuar të lirisë së mediave në Maqedoni”
“Në vitin që po lëmë pas, një pjesë e madhe e mediave vazhduan praktikën e njohur të raportimit të njëanshëm, pa respektuar standardet etike”.
Kështu deklaroi Marina Tuneva nga Këshilli për Etikë në Media. Sipas saj, raportimi i njëanshëm ka qenë më evident veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore. Për Tunevën megjithatë, rritja e numrit të ankesave të qytetarëve te Këshili për Etikë në Media, është një hap i guximshëm për denoncimin e shkeljeve të standardeve gazetareske. Për dallim nga kjo pikëpamje, nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, dolën me raport duke theksuar se, edhe pse janë në dijeni për raportime të njëanshme, qytetarët nuk reagojnë përmes institucioneve ose OJQ-ve. Sipas hulumtimit, 63% e tyre nuk janë të gatshëm që në mënyrë aktive të marrin pjesë në procese të tilla qytetare. Megjithatë 75% e qytetarëve nuk i marrin për bazë informacionet që përmbajnë vetëm një burim.