Le Figaro: Franca arrestoi ish kryeministrin për llogari të serbëve
E përditshmja franceze "Le Figaro" ka raportuar për arrestimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në pjesën franceze të aeroportit ndërkombëtar Basel-Mulhouse.
"Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kërkuar nga Serbia për krime lufte, është arrestuar dje në aeroportin Basel-Mulhouse-Friborg, kanë bërë të ditur burimet policore franceze", shkruan "Le Figaro". "Ai është arrestuar nga policia kufitare me të zbritur nga avioni me të cilin ka ardhur nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, dhe i është paraqitur zyrës së prokurorit publik në Mulhouse", thuhet në shkrimin e gazetës franceze. "Një fletarrestim ndërkombëtar ndaj tij është lëshuar më 2004 nga Serbia. Ish-udhëheqësi i UÇK-s gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë ka qenë kryeministër në vitet 2004 dhe 2005. I gjykuar për krime lufte, ai është shfajësuar dy herë nga Tribunali i OKB'së në Hagë", përfundon shkrimi i "Le Figaro".