Tensionohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i41344-tensionohen_marrëdhëniet_kosovë_serbi
Autoritetet në Francë e ndaluan, të mërkurën, ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe, me të cilin Haradinaj akuzohet për krime gjatë luftës në Kosovë.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Janar 07, 2017 19:10 Europe/Tirane
  • Tensionohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Autoritetet në Francë e ndaluan, të mërkurën, ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe, me të cilin Haradinaj akuzohet për krime gjatë luftës në Kosovë.

Arrestimi i Haradinaj çoi në ftohje marrëdhëniesh, edhe ashtu jo fort të mira, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe kjo e fundit mori vendimin që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë presidentit serb Tomisllav Nikoliq, në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse. Beogradi tha se po kërkon ekstradimin zyrtar nga Franca të Ramush Haradinajt, siç tha, “për ta përballur me akuzat për krime lufte”. Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesën për hyrje në Kosovë presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë të Serbisë që do të shoqëronin atë në vizitë në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të arriturave të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve. Ndërkohë, Në Prishtinë është mbajtur një marsh protestues paqësor për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”, protestuesit kanë marshuar nga qendra e Prishtinës deri te Ambasada franceze, ku më pas janë shpërndarë të qetë. Qytetarë të shumtë, organizata të veteranëve të luftës nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, kryesisht opozitare, i janë përgjigjur ftesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke kërkuar nga drejtësia franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. Nga ana e tij, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit. Kosova dhe Serbia kanë nisur një proces të normalizimit të marrëdhënieve që prej më shumë se 5 vjetësh, me lehtësimin e BE-së dhe kanë arritur një numër marrëveshjesh përfshirë edhe atë të Kodit telefonik për Kosovën. Një numër i marrëveshjeve, përfshirë edhe renovimin e urës në Mitrovicë, u ndaluan që prej ndërtimit të një muri në pjesën veriore të qytetit. Bashkimi Evropian, ka ripërsëritur thirrjet për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe vazhdimin e dialogut. Zëdhënësja Kocijançiq tha se megjithatë se të dyja palët janë të përkushtuara për normalizim dhe se “BE-ja pret që kjo të vazhdojë pa pengesë”. “Edhe Kosova edhe Serbia janë përkushtuara për normalizimin e marrëdhënieve dhe përpjekjet e BE-së në këtë drejtim do të vazhdojnë”,  tha Maja Kocijançiq.