Treni i provokimit nuk hyn në Kosovë
Autoritetet kosovare kishin urdhëruar ndalimin e hyrjes së trenit serb të nisur nga Beogradi, përpara se ai të ndalohej nga vetë serbët 10 kilometra larg kufirit në Rashkë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë një konferencë të jashtëzakonshme e quajti një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia, në kuadër të lojërave të saj të pandershme.
“Kthimi prapa i këtij treni është vendim i duhur dhe hyrja e tij në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje më ligjet e Republikës së Kosovës. Nuk do të lejojmë provokime të tilla për kthimin e Kosovës dhe rajonit në vitet errëta”, tha ai. Kosova dërgoi forcat speciale në kufi për t’u përballur me çdolloj përshkallëzimi të situatës. Në një intervistë telefonike për Top Channel, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se situata është nën kontroll. “Kemi qenë të mobilizuar që ta pengojmë hyrjen e këtij treni në Kosovë, sepse është një linjë e padeklaruar dhe kemi mobilizuar njësitë e policisë, që treni të mos lejohet, por të jetë në linjë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha ai. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, se ka marrë vendim që ta ndalë trenin me qëllim të, siç tha, “shmangies së konfliktit”. "Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha Vuçiq. Kryeministri Vuçiq, tha pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit se “Prishtina ka provuar të shkaktojë konflikt”. Ai u bëri thirrje, siç tha, shqiptarëve të Kosovës që të “mos provojnë të sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”. “Drejt Mitrovicës është nisur një tren udhëtarësh dhe jo një tank, por po ndodhin gjëra të pabesueshme. E kam njoftuar Mogherinin se jam i zhgënjyer me reagimin e BE-së ndaj këtyre zhvillimeve. Gjatë natës do ta njoftojmë Rusinë, nesër Kinën dhe nënpresidentin e SHBA-së dhe t’i njoftoj se “Prishtina po luan lojëra lufte”, tha Vuçiq.