Tension i ri në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd
Treni nga Beogradi për në Mitrovicë nuk arriti në stacionin e fundit.
Pas 10 orësh rrugë, ai arriti deri në kufi. Kjo e irritoi qeverinë serbe.“Kosova po luan lojëra lufte”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit, Policia e Kosovës ka vendosur eksplozivë në hekurudha dhe më pas ka pasur plan arrestimin e të gjithëve në tren. Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë ngritur në nivelin më të lartë prej vitesh. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së vendit të tij për të diskutuar - siç është shprehur, - për sjelljet e shqiptarëve dhe problemet e sigurisë të krijuara me Kosovën së fundmi. Ai ka thënë se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me këto probleme. Por presidenti serb shkoi edhe më larg duke kërcënuar me kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Nikoliç ka thënë se të gjitha strukturat e sigurisë në Serbi janë të mendimit që vendimi i Serbisë për ta kthyer trenin ka qenë i matur, por sipas tij të gjithë janë të mendimit se duhet mbrotjur çdo qytetar dhe pëllëmbë territori i Serbisë. “Paraqitja e njësisë speciale ka qenë shenjë se shqiptarët duan luftë. Kemi qenë afër momenteve të konflikteve serioze”, tha Nikoliç pas takimit të Këshillit të Sigurisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. “Nuk duam konflikt, por ekzistojnë situata dhe rrethana që duhet të sillemi në bazë të Kushtetutës. Ne duhet të sigurojmë çdo pëllëmbë dhe çdo pjesë të territorit tonë. Këtu nuk ka dyshim. Qeveria, policia dhe ushtria janë në të njëjtin mendim. Çdo tentim tjetër do të përfundojë keq dhe këtë duhet ta dinë edhe ata, edhe sponsorët e tyre”, ka thënë Nikoliç. Serbia është kthyer gati në gjendje të jashtëzakonshme pas incidentit me trenin, ndërsa mediet në Serbi e cilësojnë këtë ngjarje si kthimi i trenit nga Kosova dhe jo si incident që filloi në Beograd. I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Republikës së Kosovës. Kërcënimet serbe për luftë janë të papranueshme dhe të njëjta me ato të regjimit të Millosheviçit. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar deklaratat e homolgut serb Nikoliç. Thaçi tha se Kosova, mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha gjatë një konference të jashtëzakonshme shtypi se qeveria e Kosovës ndali provokimin e radhës së Serbisë, duke nënvizuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është vendosur që të mos lejohet futja e trenit serb. Ai deklaroi se Kosova është e përkushtuar për ruajtjen e sigurisë së të gjithë qytetarëve të saj. Përpjekja për të futur ilegalisht një tren nga Serbia në Kosovë, është incident politiko-propagandues, thotë drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq. “Edhe Prishtina po e bën një luftë psikologjiko-propaganduese për të përforcuar pozicionet e saj”, ka thënë ai. Analisti serb e çmon vendimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, që të ndalet e të kthehet treni prapa në Beograd. “Provokimi do t’i jepte alibi Prishtinës ta dërgonte ROSU-në në kufi, që do të ishte me rrezik dhe e dëmshme për Serbinë”, shprehet ai, duke thënë se rreth Kosovës po bëhen lojëra serioze gjeopolitike dhe të sigurisë. “Në ato lojëra po merr pjesë Beograd dhe Prishtina. Po, edhe SHBA e BE që janë në anën e Kosovës dhe Rusia në anën e Serbisë. Është lojë e paralajmëruar për incidente në kufi me Serbinë dhe pjesën e Sanxhakut. E njëjta situatë është me Kroacinë dhe Republikën Serbe. Ndaj, çdo veprim i ardhshëm duhet të mendohet dhe arsyetohet”, ka thënë Janjiq. Tensionet e reja mes Serbisë dhe Kosovës kanë shkaktuar edhe reagimin e BE. Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe ekipi i saj po e vëzhgojnë nga afër zhvillimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës këto ditët e fundit, e një vëmendje e veçantë i është kushtuar ngjarjes së të shtunës, thuhet në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga zyra e saj. “BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët për ngjarjet e së shtunës. Përfaqësuesi i Lartë ka folur tashmë me kryeministrin Vuçiç”, ka pohuar për “Tanjug” zëdhënësja Maja Koçijançiç. Koçijançiç, në një deklaratë me shkrim shprehet se, blloku europian u bën thirrje të dyja palëve për të treguar përmbajtje dhe maturi, si dhe t’i kthehen çështjes së dialogut. “Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me interes të përbashkët”, ka përsëritur ajo. Me një mesazh të ngjashëm, Koçijançiç pati reaguar edhe pas ndalimit të Haradinajt, kur u kërkoi palëve t’i përmbahen një klime që nxit normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa zgjidhja sipas saj duhet të vijë përmes dialogut.