Ministri i jashtëm rus kërkon uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë
Pas shtimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë ka reaguar ministri i jashtëm i Rusisë i cili ka kërkuar uljen e këtyre tensioneve.
Sergei Lavrov tha se BE duhet të ftojë krerët e Kosovës dhe të Serbisë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me anë të bisedimeve dhe negociatave në Bruksel. Sot Kosova dhe Serbia do të kenë përfaqësimin më të lartë në takimin e radhës në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në Bruksel zyrtarët thanë se nuk ka ndonjë temë të caktuar për të cilën do të bisedojnë palët, por presin që ky takim të ndihmojë uljen e tensioneve të larta të ditëve të fundit ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. Takimi i sotëm është ftuar me urgjencë nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogherini për të shtendosur situatën e tensionuar në Kosovë posaçërisht pas ndalimit të trenit serb me datën 14 janar të këtij viti, që synon të hynte në Kosovë me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, në më shumë se 20 gjuhë dhe me ikonografi mesjetare. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka folur për mediat serbe duke komentuar takimin e sotëm në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet në nivel kryeministrash dhe presidentësh të të dyja vendeve. Sipas “B92”, kryeministri në një konferencë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës ka thënë se pret mesazhe të qarta nga ky takim, por edhe se këto mesazhe do të dalin nga proces i vështirë i dialogut. “Do të pyes përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të mos mbështesin sjelljen e parave dhe armëve në vendet ku nuk përkasin”, ka thënë kryeministri serb, duke iu referuar dërgimit të forcave speciale “ROSU” në veri të vendit, ditën kur Serbia kishte nisur një tren ilegal nga Beogradi në Mitrovicë. Kryeministri serb, ka shtuar se të gjitha këto çështje që ka ndodhur gjatë kësaj kohe do të jenë temë e takimit të nesërm. “Megjithatë nuk pres shumë nga takimi i nesërm, por presim që situata të qetësohet dhe të dalim me mesazhe të qarta”, citohet të ketë thënë kryeministri serb.