Enver Hoxhaj "i frikësuar", kërkon ndihmën e Brukselit
Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj, në një prononcim për Politico.eu ka folur për provokimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës dhe për atë se çfarë BE-ja duhet të ndërmarrë në këtë rast.
Hoxhaj ka theksuar se Bashkimi Evropian është një fuqi e butë që ka transformuar Ballkanin dhe Ballkani ka nevojë për të. Duke folur për veprimet që BE-ja duhet t’i ndërmarrë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, ministri Hoxhaj tha se arritjet e Kosovës janë arritje edhe të BE-së, prandaj BE-ja duhet t’i mbrojë investimet e saja. "Arritjet e Kosovës, janë arritje të BE-së, prandaj Brukseli duhet t’i mbrojë investimet e saja afatgjate në rajon, përfshirë këtu edhe Kosovën”, ka thënë Hoxhaj për Politico.eu. Tentativa e Serbisë për ta futur në Kosovë trenin provokativ bëri bujë të madhe në mediat ndërkombëtare, veçanërisht pas publikimit të letrës që ministri Hoxhaj u ka shkruar 49 homologëve të tij në BE, ShBA etj.