Sheh Rrustem Shehu: Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka mbështetur myslimanët
Shehu i Teqes së Tarikatit Khalveti në Sukth të Shqipërisë ka thënë se Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka qenë mbështetëse e myslimanëve, sidomos e myslimanëve në Shqipëri, prandaj konsiderohet shpresë për ata.
Sheh Rrustem Shehu gjatë ceremonisë së shpalljes së qytetit Mashhad për "Kryeqytet Kulturor të Botës Islame" për vitin 2017, në një intervistë me agjencinë e lajmeve IRNA tha: "Për fat të keq aktualisht ekziston ekstremizëm në mesin e disa vendeve myslimanëve fqinjë, po një gjë e tillë nuk i ka hije myslimanëve. Duhet ta lusim Zotin e madhëruar që ta vendos unitetin dhe bashkimin në botën islame në mënyrë që vetë popujt të mundë të zgjedhin liderët e merituar të tyre". Sheh Rrustem Shehu në vazhdim vuri në dukje se origjina e tij fetare lidhet me rajonin e Khorasanit në Iran dhe deklaroi: "Paraardhësit e mi shumë kohë më parë kanë emigruar në Shqipëri. Në Shqipëri feja në periudhën e regjimit komunist ishte ndaluar dhe ky ishte një krim i madh ndaj popullit të këtij vendi, për arsye se është domosdoshme për parandalimin e shumë problemeve shoqërore. Ne, megjithatë edhe në periudhën e komunizmit nuk kemi hequr dorë nga islami dhe gjithnjë theksojmë në kryerjen e obligimeve ditore të fesë islame si namazi etj.. Aktualisht të gjithë fetë në Shqipëri kanë një bashkëjetesë paqësore dhe në këtë vend është mënjanuar në masë të madhe ekstremizmi fetar dhe racist". Sheh Rrustem Shehu me këtë rast e vlerësoi lartë personalitetin e Imam Khomeinit (ra) i cili ia ka kushtuar tërë jetën e tij fesë islame dhe ngritjes së dinjitetit të myslimanëve në përgjithësi, si dhe fitores së Revolucionit Islamik dhe themelimit dhe zhvillimit të Republikës Islamike të Iranit. Sheh Rrustem Shehu u shpreh i kënaqur me faktin se nuk ka kurrfarë përçarje në mesin e popullit të Iranit dhe falënderoi të gjithë vëllezërit myslimanë të Iranit për vazhdimin e rrugës së Imam Khomeinit (ra). Ai gjithashtu me këtë rast falënderoi edhe stafin diplomatik të ambasadës dhe stafin e konsullatës kulturore të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri për mbështetjen shpirtërore dhe morale ndaj myslimanëve shqiptarë. Sheh Rrustem Shehu si sheh i Tarikatit Khalveti, deklaroi: "Është një kënaqësi dhe nder i madh për ne që të vizitojmë varrin e Imam Reza (a.s.), sepse ai ishte një prej imamëve të mëdhenj dhe ne kërkojmë vazhdimin e rrugës së profetëve. Gjithashtu, kërkojmë nga populli iranian që ta mbajnë gjallë gjithmonë Revolucionin Islamik dhe e lusim Zotin e madhëruar që të shpërblejë liderin dhe krerët e tjerë të Republikës Islamike të Iranit!". Vlen të theksohet se Organizata për Shkencë, Kulturë dhe Arsim Islamik (ISESCO) e Organizatës për Bashkëpunim Islamik për çdo vit i zgjedh tre qytete nga vendet afrikane, arabe dhe islame jo arabe dhe i prezanton ato "Kryeqytete Kulturore të Botës Islame" për një vit dhe këtë vit në këtë kuadër Mashhadi është shpallur "Kryeqytet Kulturor i Botës Islame në Azi.