Ballkani dhe roli i shqiptarëve në këtë rajon mjaft të ndjeshëm
Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve apo lëvizjeve që në shikim të parë çdokush mund të mendojë se mund të çojnë në drejtim të përsëritjes së konflikteve që kanë ndodhur në tre-dekadëshin e fundit rajonin e Ballkanit.
Po e fillojmë nga e fundit, mosarritja e konsensusit për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni brenda afatit të paraparë kushtetues nga partia e cila ka fituar më së shumti vota dhe deklaratat pompoze të disa figurave publike në Maqedoni rreth synimeve të shqiptarëve në këtë shtet. Një gjë e tillë është bërë nga Kongresi botëror i maqedonasve, e cila i ka ftuar dy partitë e mëdha maqedonase që vetë ta krijojnë qeverinë dhe të anashkalojnë partitë shqiptare për të mos qenë pjesë e vendimmarrjes edhe përkundër faktit se ekzistojnë disa marrëveshje politike të cilat i hapin rrugën shqiptarëve të jenë pjesë e pushtetit në Maqedoni. Bile ky Kongres shkon edhe më larg duke thënë se shqiptarët me kërkesat e tyre dëshirojnë ta krijojnë shtetin e tretë shqiptar në Ballkan pas Shqipërisë dhe Kosovës. Tani mbetet e paqartë se presidenti i Maqedonisë a do të veprojë sipas praktikës së vendeve të rajonit, duke i siguruar partisë së dytë më të madhe në Maqedoni që të zhvillojë konsultimet me partitë tjera për krijimin e qeverisë, apo do të shfrytëzojë boshllëkun kushtetues dhe të mos ia krijojë kushtet LSDM-së si partia e dytë sipas numrit të deputetëve të krijojë qeverinë. Sipas të gjitha gjasave, faktori ndërmjetësues i krizës në Maqedoni nuk dëshiron të ketë përsëritje të zgjedhjeve, duke pasur parasysh faktin se në bazë të situatës së dalë nga zgjedhjet e fundit, më lehtë mund të diktojë interesat dhe politikat e tij në Maqedoni. Pra, e gjithë situata në të ardhmen do të varet nga lëvizjet që do t’i ndërmerr presidenti i Maqedonisë si dhe trysnitë që do t’i bëjë faktori ndërkombëtar ndaj partive shqiptare në Maqedoni. Një rast tjetër ku prapë shqiptarët janë pjesë e një lëvizje mjaft të rëndësishme që mund të ndikojë në ndryshimin e hartës politike në Ballkan, është rasti i fundit i deklaratave kundërthënëse dhe tejet të “të nxehta” midis zyrtarëve qeveritarë të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat padyshim se ndikuan me ndërhyrje të Brukselit për të qetësuar situatën. Veri i qytetit të Mitrovicës dhe shfrytëzimi i këtij rajoni nga Serbia për të diktuar politikën e Prishtinës zyrtare, ka nervozuar autoritetet e Kosovës, të cilat përmes dërgimit të njësisë speciale të policisë së Kosovës në veri për të ndaluar trenin të cilin Serbia synonte t’a dërgonte në Kosovë, u janë përgjigjur ashpër qeverisë së Serbisë. Natyrisht se pas kësaj ngjarje kanë pasuar edhe deklarata të rrezikshme për luftë midis dyja shteteve. Të gjitha këtyre problemeve të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni padyshim se i kontribuon edhe mosunifikimi i politikanëve në Shqipëri, të cilët duke parë në parim vetëm interesat e tyre personale, nuk janë në gjendje të ndikojnë në krijimin e një platforme të përbashkët pan-shqiptare, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemet politike dhe ekonomike me të cilat përballen shqiptarët në tërë rajonin e Ballkanit.