Thaçi: Me presidentin Steinmeier do ta rrisim bashkëpunimin ndërshtetëror0
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar Frank-Walter Steinmeier për zgjedhjen e tij si president i ri i Gjermanisë.
“Në emër të popullit dhe institucioneve tona, mikut të dëshmuar të Kosovës, Frank-Walter-Steinmeier, ia uroj zgjedhjen e tij President i Republikës Federale të Gjermanisë”, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në “Facebook”. Thaçi është shprehur i bindur se presidenti i zgjedhur Steinmeier dhe kancelarja Merkel do t’i adresojnë me përgjegjësitë më të larta të gjitha sfidat me të cilat po ballafaqohen shtetet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor. “Roli i Gjermanisë është dëshmuar si vendimtar për stabilitetin në rajon, kurse mbështetja gjermane për Kosovën ka ndikuar shumë edhe në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Miku i Kosovës, Frank-Walter Steinmeier, ka qenë mbështetës i vazhdueshëm edhe sa ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë, veçanërisht për dialogun me Serbinë, ndaj të cilit ne mbesim të angazhuar deri në normalizimin e plotë të marrëdhëniet tona si dy shtete të pavarura”, ka shkruar Thaçi. Presidenti Thaçi ka thënë së me homologun e ri gjerman do ta rrisim edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror. “Gjermania është mbështetëse e madhe e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ka pasur rol jetik në progresin tonë të gjithanshëm, prandaj me presidentin e zgjedhur Frank-Walter Steinmeier, përveç ruajtjes së raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona, do ta rrisim edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror”, ka shkruar presidenti Thaçi.